7 Prill – Dita Botërore e Shëndetit

7 Prill, 2024

Sot është 7 Prilli, Dita Botërore e Shëndetit – ditë e cila shënohet në gjithë botën nga viti 1950. Kremtimi i kësaj dite ka për qëllim vetëdijësimin për një prioritet shëndetësor të përzgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Shëndeti është një e drejtë themelore e njeriut. Çdo person meriton të bëjë një jetë të shëndetshme, pavarësisht nga mosha, gjinia, përkatësia etnike, aftësi të kufizuar, situata ekonomike ose punësimi.

Në vitin 1948, OBSH organizoi Asamblenë e Parë Botërore të Shëndetit. Asambleja vendosi të caktojë 7 prillin si Ditën Botërore të Shëndetit. Dita Botërore e Shëndetit mbahet për të shënuar themelimin e OBSH-së, dhe shihet si një mundësi nga organizata të ndryshme për të tërhequr vëmendjen në mbarë botën për një subjekt me rëndësi të madhe për shëndetin global çdo vit.

OBSH-ja në këtë datë organizon ngjarje ndërkombëtare, rajonale dhe lokale në lidhje me një temë të veçantë shëndetësore. Dita Botërore e Shëndetit pranohet nga qeveri të ndryshme dhe organizata joqeveritare me interes në çështjet e shëndetit publik, të cilët gjithashtu organizojnë aktivitete dhe theksojnë mbështetjen e tyre në raportet e mediave, siç është Këshilli Global i Shëndetësisë.